Mbi 10 persona të thirrur në MPB për mesazhet e rreme për ujin në Shkup, Mickoski: Sulm hibrid
Më shumë se dhjetë persona janë thirrur për intervistim në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me shpërndarjen e mesazheve të rreme se uji në Shkup është i ndotur, bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, bëhet fjalë për një përpjekje për të shkaktuar frikë dhe pasiguri te qytetarët, të cilën e cilësoi si një formë të “sulmit hibrid”. Mickoski tha se pas përhapjes së mesazheve në rrjetet sociale qëndrojnë qendra që, sipas tij, synojnë të krijojnë histeri dhe akuzoi partitë opozitare për përfshirje.
“Shpresoj që me ndryshimet e reja në Kodin Penal të ketë edhe dispozita ndëshkuese për persona të tillë që me vetëdije krijojnë histeri, gjegjësisht kryejnë një lloj sulmi hibrid, duke krijuar ndjenjë shqetësimi dhe frike te qytetarët”, deklaroi Mickoski.
Ai ngriti dyshime edhe për motive komerciale pas përhapjes së dezinformatave, duke theksuar se brenda një dite në disa markete janë shitur sasi të mëdha të ujit të ambalazhuar.
Duke komentuar akuzat e LSDM-së lidhur me krizën e ujit në Gostivar, Mickoski tha se përgjegjësia duhet të kërkohet edhe te pushteti lokal, duke theksuar se kryetari i Komunës së Gostivarit është mbështetur nga LSDM-ja në zgjedhjet e fundit.
Mesazhet për gjoja ndotjen e ujit në Shkup u shpërndanë më 12 gusht në rrjetet sociale, ku pretendohej se uji përmban bakterien Escherichia coli dhe nuk është i sigurt për konsum.
Pretendimet u demantuan nga autoritetet. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, Ivan Mitrovski, deklaroi se uji është teknikisht i rregullt dhe se nuk ka arsye për panik.
Edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski, tha se në ujin e Shkupit nuk është konstatuar Escherichia coli, duke i cilësuar mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale si dezinformata.

