52 zjarre në vetëm një ditë: Maqedonia e Veriut përballet me kulmin e sezonit të zjarreve
Maqedonia e Veriut po përballet me një nga ditët më të vështira të këtij sezoni të zjarreve. Vetëm më 12 gusht janë regjistruar 52 zjarre në hapësira të hapura, duke angazhuar zjarrfikësit dhe ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në disa rajone të vendit.
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, ekipet kanë arritur të shuajnë 46 zjarre, ndërsa gjashtë prej tyre kanë mbetur aktive. Paralelisht, janë shfaqur edhe vatra të reja, duke e vështirësuar situatën në terren.
Një nga zjarret më serioze është raportuar në afërsi të Prilepit, përgjatë rrugës për Manastir. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, ndërsa zjarri ka dëmtuar edhe një hambar ku ishte ruajtur një sasi duhani. Aktualisht, zjarri është pjesërisht nën kontroll.
“Vetëm një shkëndijë mjafton për të shkaktuar një katastrofë të vërtetë”, paralajmëroi Angellov, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në territorin e Komunës së Studeniçanit, në zonën e fshatit Ramni Gaber. Zjarri është aktiv në një terren malor, të pjerrët dhe të vështirë për t’u aksesuar, me bimësi të dendur.
Për shuarjen e tij janë angazhuar tre avionë “Air Tractor”, ndërsa ekipet tokësore kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës për të parandaluar afrimin e flakëve drejt vendbanimeve.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë të ditur se zjarri mbi fshatin Gaber është përhapur, por pjesa drejt zonave të banuara mbetet nën kontroll dhe, për momentin, nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për banorët.
Për shkak të terrenit të paarritshëm, në operacion janë angazhuar edhe tre avionë “Air Tractor” të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe një avion i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Zjarri po lëviz në drejtim të fshatit Vërzhallë, ndërsa situata po monitorohet nga afër.
Autoritetet paralajmërojnë se rreziku nuk ka kaluar. Temperaturat e larta dhe kushtet e thata favorizojnë shpërthimin dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
Në këtë situatë, Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e vendit deri në fund të gushtit, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësira të hapura dhe pyje.
Me 52 zjarre të regjistruara brenda një dite, autoritetet përballen me një sfidë të madhe për menaxhimin e sezonit, ndërsa paralajmërimi kryesor për qytetarët mbetet i njëjtë: kujdesi dhe parandalimi mund të jenë vendimtarë për të shmangur një katastrofë më të madhe.

