Një rast i ri i dyshimtë me ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, 10 pacientë të konfirmuar në Klinikën Infektive
Një rast i ri i dyshimtë me ethet e Nilit Perëndimor është evidentuar në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një pacient 76-vjeçar nga Shkupi, me disa sëmundje shoqëruese, i cili është i hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive. Rezultatet laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik priten të konfirmojnë diagnozën.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, tha se rasti konsiderohet i dyshimtë dhe se për të vërtetuar formën neuroinvazive të sëmundjes nevojiten analiza shtesë të lëngut cerebrospinal.
Aktualisht, në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të shtruar 10 pacientë me virus të konfirmuar të Nilit Perëndimor. Tre prej tyre janë në gjendje kritike, të gjithë mbi moshën 60-vjeçare dhe me sëmundje shoqëruese.
Po ashtu, në klinikë po trajtohen edhe gjashtë pacientë të tjerë që konsiderohen klinikisht të dyshimtë. Sipas Canës, megjithëse testet PCR kanë rezultuar negative, kjo metodë nuk konsiderohet standardi kryesor për diagnostikimin e formës neuroinvazive të virusit, ndaj pacientët po i nënshtrohen analizave shtesë dhe trajtohen si raste të etheve të Nilit Perëndimor.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 30 korrik 2026 në vend janë konfirmuar gjithsej 13 raste me ethet e Nilit Perëndimor.
Virusi transmetohet te njerëzit përmes pickimit nga mushkonjat e infektuara. Më të rrezikuarit për forma të rënda të sëmundjes janë personat mbi 60 vjeç, ata me sistem imunitar të dobësuar dhe pacientët me sëmundje kronike. Aktualisht nuk ekziston terapi specifike antivirale, ndërsa trajtimi fokusohet në lehtësimin e simptomave dhe kujdesin spitalor në rastet e rënda. Autoritetet shëndetësore rekomandojnë mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave dhe kërkimin e ndihmës mjekësore nëse pas pickimit shfaqen temperaturë e lartë, dhimbje të forta koke, ngurtësim i qafës, konfuzion ose dobësi në gjymtyrë.

