Epidemia në Gostivar është stabile, 60 kontrolle të reja më 31 korrik
Gjendja epidemiologjike në Gostivar është stabile, ndërsa edhe pse më 31 korrik është shënuar një rritje ditore e numrit të kontrolleve, trendi i përgjithshëm mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën e pikut, informoi Ministria e Shëndetësisë, njofton Portalb.mk.
Sipas të dhënave të Ministrisë, më 31 korrik janë regjistruar gjithsej 60 kontrolle të para. Për krahasim, më 18 korrik, kur epidemia ishte në pikun e saj, ishin evidentuar 649 kontrolle.
“Nga 14 deri më 31 korrik janë regjistruar gjithsej 4.543 kontrolle të para. Deri tani janë pranuar 1.028 formulare zyrtare për sëmundje infektive dhe janë përpunuar 730 anketa të reja epidemiologjike, me përfshirje prej 71 përqind”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kriza epidemiologjike në Gostivar nisi pas ndalimit të përdorimit të ujit për pije më 17 korrik, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë konstatoi ndotje të ujit dhe ndaloi përdorimin e tij për konsum.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe dy punonjës u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim nën dyshimin për ndotjen e sistemit të ujësjellësit.
Sipas rezultateve të analizave të publikuara nga Prokuroria Publike, në ujin e Gostivarit u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua edhe prani e baktereve koliforme në nivel prej 39 cfu/100 ml, ndonëse sipas standardeve duhet të jetë 0 cfu/100 ml.
Rezultatet treguan për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm, ndërsa autoritetet po vazhdojnë me masat për dezinfektimin e sistemit dhe monitorimin epidemiologjik të situatës.

