Hetim për ryshfet në provimin profesional të stomatologjisë, dy të dyshuar para gjykatës

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetim ndaj dy personave të dyshuar për marrje ryshfeti dhe ndikim të kundërligjshëm.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari i parë, doktor i stomatologjisë dhe kryetar i Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë, dyshohet se ka pranuar para për të ndërhyrë te i dyshuari i dytë, kryetar i Komisionit të Provimit Profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë.

Qëllimi i ndërhyrjes, sipas dyshimeve të hetimit, ka qenë që një e dyshuar në një rast tjetër të mund ta kalonte provimin profesional. Pas provimit, i dyshuari i parë dyshohet se i ka dërguar të dhënat e llogarisë së tij bankare, ku e dyshuara ka kryer pagesën si shpërblim për ndërmjetësimin. Një pjesë të shumës, sipas Prokurorisë, ai më pas ia ka dorëzuar të dyshuarit të dytë.

Hetimi i ri është hapur pas analizës së të dhënave nga telefonat mobilë të sekuestruar në kuadër të një hetimi tjetër kundër një grupi të organizuar kriminal, i dyshuar për import, shpërndarje dhe përdorim të paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore.

Rasti lidhet me aksionin e zhvilluar në fund të prillit kundër një rrjeti të dyshuar për kontrabandë, shpërndarje dhe përdorim të botoksit dhe fillerëve të falsifikuar. Në atë procedurë janë përfshirë gjithsej 19 persona fizikë dhe gjashtë persona juridikë.

Të dyshuarit e rinj gjatë ditës pritet të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ndërsa prokurori publik do të kërkojë masa për sigurimin e pranisë së tyre gjatë procedurës penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *