Kuvendi paguan mamografi private për deputetet, ndërsa qytetaret presin me muaj për termin
Kuvendi do t’u mundësojë deputeteve dhe punonjëseve të tij ekzaminime private për mamografi të gjirit, në kohën kur në shëndetësinë publike qytetaret përballen me pritje të gjata për caktimin e termineve.
Ekzaminimi privat për mamografi kushton nga 3.000 deri në 5.000 denarë dhe është përfshirë në paketën bazë të kontrolleve sistematike për deputetët dhe të punësuarit në Kuvend. Shërbimin do ta përdorin edhe gratë e punësuara në kabinetin e kryetarit të Kuvendit.
Vendimi për ofertën më të favorshme me një institucion privat shëndetësor në Shkup është marrë në mars. Kjo ngre pikëpyetje për qasjen e pabarabartë në shërbimet shëndetësore, pasi qytetarët prej muajsh përballen me mungesë të termineve për mamografi në sistemin publik.
Ndërkohë, sigurim shëndetësor privat me mjete publike kanë siguruar edhe punonjës të institucioneve dhe ndërmarrjeve të tjera shtetërore, mes tyre EMV, Lotaria Shtetërore, Banka Popullore dhe Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut.
Këto raste rikthejnë debatin për gjendjen e shëndetësisë publike dhe vështirësitë që qytetarët përballojnë për të siguruar kontrolle shëndetësore në kohë.

