Qeveria siguron 50 mijë litra ujë falas në ditë për qytetarët e Gostivari

Qeveria ka njoftuar se, duke filluar nga sot, do të sigurojë nga 50 mijë litra ujë të pijshëm falas çdo ditë për qytetarët e Gostivarit, si masë intervenuese për të përmbushur nevojat bazë të popullatës deri në përfundimin e masave dhe rekomandimeve të institucioneve kompetente.

Sipas njoftimit, uji do të shpërndahet në shtatë pika të ndryshme në qytet, përfshirë Ndërmarrjen e Ujërave, çerdhen “Pranvera”, shkollën e mesme ekonomike dhe Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad”.

Qeveria thekson se është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse dhe se analizat për përcaktimin e shkaqeve të situatës po vazhdojnë me intensitet. Po ashtu, është paralajmëruar se çdo person për të cilin do të konstatohet përgjegjësi do të përballet me masat e parashikuara me ligj.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet në fuqi dhe të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *