Vijon stabilizimi i situatës me gastroenteritin në Gostivar, kontrollet u ulën me 41%
Për të tretën ditë me radhë po vazhdon stabilizimi i situatës epidemiologjike në Gostivar, ndërsa numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për simptoma të gastroenteritit është në rënie, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të institucioneve publike shëndetësore, gjatë 21 korrikut 2026 në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 108 kontrolle të reja: 60 në repartin e sëmundjeve infektive, 37 në repartin e pediatrisë dhe 11 në Qendrën Urgjente.
Në repartin infektiv janë hospitalizuar dy pacientë të rinj, ndërsa në repartin e pediatrisë nuk është regjistruar asnjë shtrim i ri.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë evidentuar 87 kontrolle në shërbimin kujdestar dhe 17 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Ndërkohë, në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile janë regjistruar tre pacientë të rinj nga rajoni i Gostivarit, prej të cilëve një është hospitalizuar.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se krahasuar me 20 korrikun, kur në Spitalin e Gostivarit ishin regjistruar 183 kontrolle, numri ka rënë në 108, që përfaqëson një ulje prej rreth 41 për qind.
Po ashtu, numri i kontrolleve në Shtëpinë e Shëndetit është ulur nga 110 në 87 pacientë, ose rreth 21 për qind, çka sipas ministrit konfirmon trendin pozitiv të stabilizimit të situatës.
Gostivari mbetet nën epidemi të problemeve gastrointestinale, pas mijëra rasteve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidrim.
Lidhur me rastin, tre zyrtarë të ndërmarrjes publike “Komunalec” ndodhen në paraburgim 30-ditor, nën dyshimet për ndotjen e sistemit të ujësjellësit.
Hetimet paraprake kanë konstatuar se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste ujë nga lumi Vardar në rrjetin e ujësjellësit. Analizat e publikuara nga Prokuroria më 20 korrik treguan se në ujin e ndotur ishin konstatuar nivele të baktereve koliforme rreth 48 herë mbi kufirin e lejuar.

