Mickoski: Festimet për 35-vjetorin i kushtuan buxhetit 0 denarë, dokumentet ngrenë pikëpyetje për financimin

Pas kritikave dhe kërkesave për transparencë lidhur me shpenzimet për festimet e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se të gjitha aktivitetet, përfshirë koncertin e yllit botëror David Guetta, i kanë kushtuar buxhetit dhe qytetarëve 0 denarë.

“Lajmi i keq është se të gjitha këto ngjarje i kushtojnë buxhetit 0 denarë. Të gjitha këto ngjarje qytetarëve dhe buxhetit u kushtojnë 0 denarë”, tha Mickoski, duke iu referuar edhe të dhënave në platformën “Financat e Hapura”.

Megjithatë, dokumentet e bëra publike tregojnë se Qeveria, më 28 prill të këtij viti, vendosi që organizimin e festimeve t’ia besojë Lotarisë Shtetërore. Dy ditë më vonë, Lotaria publikoi thirrje për mbledhjen e ofertave për realizimin e ngjarjeve të sponsorizuara me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë.

Sipas drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, thirrja ishte në përputhje me Ligjin për sponsorizime dhe donacione dhe, për këtë arsye, nuk ishte pjesë e sistemit të prokurimeve publike. Ai tha për BIRN se pyetjet për shumën e parave të shpenzuara për festimet duhet t’i drejtohen Qeverisë.

Thirrja publike parashikonte, ndër të tjera, angazhimin e një artisti botëror të klasës “A”, me pjesëmarrje të garantuar prej të paktën 30 mijë personash, një ylli ndërkombëtar të shoqëruar nga artistë maqedonas, si dhe të paktën 12 ngjarje në mbarë vendin.

Përshkrimet në thirrje përkojnë me aktivitetet që më pas u realizuan, përfshirë performancën e David Guettas, koncertin e tenorit José Carreras dhe ngjarjet “Fort shkëlqu dita”.

Sipas Klimovskit, ofertën e vetme e kishte dorëzuar Avalon përmes kompanisë “Stardust”. Për vlerësimin nëse koncepti i propozuar përputhej me kërkesat e thirrjes vendoste një komision i jashtëm i përbërë nga artistë.

Më 12 maj, përfaqësuesi i Avalonit, Boban Millosheski, dhe përfaqësuesja e Qeverisë, Marija Miteva, njoftuan se festimet do të përfshinin performancën e David Guettas. Në atë kohë, Miteva deklaroi se publiku do të informohej në mënyrë transparente pasi të finalizoheshin programi, produksioni dhe kontratat.

Ndërkohë, deri më tani janë zhvilluar 16 ngjarje, ndërsa disa prej tyre kanë edhe sponsorë, përfshirë kompani të mëdha në vend.

Pavarësisht deklaratës së kryeministrit se festimet nuk kanë kushtuar asnjë denar nga buxheti, mënyra e organizimit dhe financimit të tyre vazhdon të ngrejë pikëpyetje mbi transparencën e shpenzimeve, mënyrën e përzgjedhjes së organizatorit dhe rolin e sponsorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *