Grubi pritet me flakadanë në Çair, mbrojtja distancohet nga tubimi dhe kërkon falje për shqetësimin

Dhjetëra qytetarë mbrëmë në Çair të Shkupit e pritën ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, me flakadanë dhe bomba tymuese, pas daljes së tij nga arresti shtëpiak. Mbrojtja e tij sot u distancua nga tubimi, duke theksuar se ishte organizuar spontanisht nga qytetarët, fqinjët dhe miqtë e tij.

Avokatët Vladimir Donevski dhe Goce Ristevski kërkuan falje për shqetësimin që mund të ketë shkaktuar ngjarja, duke theksuar se Grubi nuk kishte marrë pjesë në organizimin e saj.

“Artan Grubi nuk mori pjesë në organizimin e saj dhe tubimi nuk përfaqëson as qëndrimin e tij politik dhe as ndonjë iniciativë të tij. Çdo shprehje e mbështetjes është zgjedhje personale e qytetarëve dhe nuk duhet të ndërlidhet me mbrojtjen”, thuhet në komunikatë.

Por për festën e mbrëmshme nuk e la pa reaguar partia në pushtet VLEN.

VLEN

-Pavarësisht teatrit që ia organizuan nja dhjetë besnikë me fishekzjarre tifozësh, fytyra e trembur dhe e zbehtë e “kingut” flet shumë, edhe pa e hapur gojën. Edhe pse Bujar Osmani, në një intervistë, u përpoq t’i lëpinte ato që kishte pështyrë për Artan Grubin gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, kjo nuk mjaftoi. U desh të ulej edhe më poshtë. Nga ish-shef i diplomacisë, përfundoi si tifoz i një njeriu të listës së zezë të SHBA-së. Simptomatike është mungesa e pishtarit të Ali Ahmetit, i cili disa herë, përmes deklaratave, u përpoq më kot ta shiste si meritë të vetën zëvendësimin e arrestit shtëpiak me masa më të lehta për ish-bashkëpunëtorin e tij më të afërt dhe trashëgimtarin pa kurorë.

Grubi doli nga arresti shtëpiak pasi skadoi afati maksimal ligjor prej 60 ditësh për këtë masë, pas paraqitjes së propozim-aktakuzës. Megjithatë, Gjykata Penale në Shkup i caktoi masa kujdesi, përfshirë ndalimin e largimit nga vendbanimi, paraqitjen periodike në gjykatë dhe ndalimin e kontakteve me persona të caktuar.

Atij nuk i është kthyer pasaporta dhe mbetet në fuqi ndalimi për pajisjen me dokument të ri për kalimin e kufirit shtetëror. Grubi është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *