Dr. Ilir Hasani pjesë e një organizate prestigjioze evropiane të kirurgjisë

Edhe një arritje e rëndësishme ndërkombëtare për mjekësinë maqedonase – dr. Ilir Hasani është bërë pjesë e Society of European Pelvis and Acetabulum Surgeons (SEPAS), një shoqatë profesionale që bashkon kirurgë dhe ekspertë të fushës së kirurgjisë së pelvisit dhe acetabulumit.

Dr. Ilir Hasani mori pjesë në takimin e parë të SEPAS, të mbajtur në Amsterdam, ku u mblodhën rreth 100 kirurgë dhe ekspertë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India dhe vende të tjera.

Pjesëmarrja e Hasanit ishte edhe më e rëndësishme pasi ai ishte i ftuar si ligjërues, duke pasur mundësinë të prezantojë përvojën e tij profesionale para kolegëve dhe ekspertëve të njohur ndërkombëtarë të kësaj fushe.

Takimi iu kushtua shkëmbimit të përvojave profesionale, prezantimit dhe diskutimit të koncepteve bashkëkohore, si dhe debatit për të ardhmen e kirurgjisë së pelvisit dhe acetabulumit.

Ngjarja u mbajt në ndërtesën historike Waag, në zemër të Amsterdamit, një vend që ka lidhje të veçantë me historinë e anatomisë dhe kirurgjisë.

“Shoqatë e re. Rrjet i ri. Gjeneratë e re bashkëpunimesh. Kapitull i ri në kirurgjinë e pelvisit dhe acetabulumit”, shkroi Hasani, duke shprehur krenarinë dhe nderin që është pjesë e SEPAS që nga fillimi i saj.

Pjesëmarrja si ligjërues në një takim të këtij niveli përbën një tjetër prezencë të rëndësishme të dr. Ilir Hasanit në skenën profesionale ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *