Ligji për Arsimin e Lartë hiqet nga rendi i ditës, mungon pajtimi mes pushtetit dhe opozitës

Projektligji për Arsimin e Lartë nuk do të shqyrtohet në seancën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, pasi shumica parlamentare nuk arriti të sigurojë pajtim me opozitën. Gjatë seancës së sotme, nga rendi i ditës u tërhoqën tri pikat që lidhen me këtë paketë ligjore.

Deputetët e opozitës shqiptare reaguan ndaj mënyrës së thirrjes së mbledhjes, duke theksuar se njoftimi u është dërguar pas afatit të paraparë. Rina Ajdari, Halil Snopçe dhe Elmi Aziri kritikuan procedurën, ndërsa Aziri e cilësoi atë si një “tendencë klandestine”.

Pavarësisht diskutimeve, opozita dhe Qeveria nuk arritën të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për projektligjin, duke bërë që shqyrtimi i tij të shtyhet.

Qeveria kishte miratuar më 22 prill paketën përfundimtare të tre ligjeve që lidhen me arsimin e lartë, përkatësisht Ligjin për Arsimin e Lartë, Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Hulumtimet Shkencore, të cilat në fillim të korrikut u dorëzuan në Kuvend.

Projektligji i ri, i prezantuar nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska më 6 shkurt, synon të zëvendësojë zgjidhjen aktuale ligjore. Megjithatë, disa nga ndryshimet e propozuara kanë nxitur reagime në komunitetin akademik dhe kritika nga partitë opozitare, të cilat kërkojnë tërheqjen e tij, duke argumentuar se disa dispozita mund të kenë pasoja negative për sistemin e arsimit të lartë në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *