Limani mohon se uji i pijshëm është ndotur me ujëra të zeza. Nuk ka dëshmi që shqetësimet lidhen me ujësjellësin
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka mohuar pretendimet se ujërat e zeza janë përzier me ujin e pijshëm, pas raportimeve për një numër të madh qytetarësh që ditët e fundit janë paraqitur në spital me shqetësime në lukth.
Limani deklaroi se, sipas informacioneve nga Ndërmarrja Publike “Komunalec”, në lokacionin ku janë ngritur dyshimet nuk ekziston rrjet i kanalizimit, duke hedhur poshtë pretendimet për përzierje të ujërave të zeza me rrjetin e ujësjellësit.
Ai theksoi se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike që lidh shqetësimet e raportuara me ujin e pijshëm. Sipas tij, analizat e kryera nga NP “Komunalec” tregojnë se parametrat e ujit kanë qenë brenda kufijve të lejuar me ligj.
Kryetari i Gostivarit bëri të ditur se Komuna është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe po bashkëpunon në hetimin e rastit. Ai siguroi se rezultatet zyrtare do të publikohen menjëherë pasi të jenë në dispozicion.
Limani u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë ndalimin e përkohshëm të përdorimit të ujit dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare, duke apeluar që të mos përhapen informacione të paverifikuara.

