Incidenti në Kuvend, opozita kërkon përgjegjësi për Stoilkoviqin

Incidenti verbal gjatë seancës së Kuvendit për rikonstruimin e Qeverisë ka shkaktuar reagime të shumta politike, pasi opozita akuzoi Ivan Stoilkoviqin për fyerje dhe gjuhë denigruese ndaj deputetëve.

Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, deklaroi se sjellja e Stoilkoviqit ishte e papranueshme dhe se nuk përbën vetëm sulm ndaj saj si deputete, por prek edhe dinjitetin e grave shqiptare në politikë. Ajo kërkoi reagim nga institucionet ndërkombëtare që kanë ndihmuar në hartimin e Kodit Etik të Sjelljes në Kuvend, duke pyetur nëse një sjellje e tillë do të tolerohej në demokracitë e konsoliduara.

Reagime pati edhe nga deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, i cili kritikoi ashpër sjelljen e Stoilkoviqit, ndërsa deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, kërkoi nga kryeministri Hristijan Mickoski të distancohet nga Stoilkoviqi dhe të kërkojë falje publike.

Në vend të Stoilkoviqit, kërkimfalje deputetëve dhe qytetarëve u bë nga kryeministri Mickoski. “Si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve, që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që kjo të mos na përsëritet kurrë më”, deklaroi ai.

LSDM akuzoi gjithashtu Stoilkoviqin se kishte fyer deputetët Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçulleski. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, e cilësoi kaosin në Kuvend si përpjekje për të mbuluar, siç tha ai, mungesën e rezultateve të Qeverisë.

Ndërkohë, grupi parlamentar i LSDM-së ka kërkuar sigurimin e video-incizimeve nga seanca e 112-të e Kuvendit dhe pamjeve nga hapësirat para sallës “Maqedonia”, për të pasur një pasqyrë të plotë mbi incidentin. Në shenjë proteste, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët braktisën seancën para votimit për ministrat e rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *