Shabani zgjidhet zëvendësdrejtor i RTVM-së, BDI kërkon hetim për emërimin
Xhulian Shabani është zgjedhur zëvendësdrejtor i Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM), pasi programi i tij i punës u vlerësua si më i miri nga tetë kandidatët që morën pjesë në konkurs.
Shabani është i diplomuar në Administratë dhe Menaxhment, me magjistraturë në Komunikim Ndërkombëtar. Ai ka mbi 16 vite përvojë në sektorin mediatik, duke punuar në TV HANA, TV ERA, ALSAT-M, MRTV, A1 Televizion dhe TV21, si dhe ka drejtuar projekte në fushën e marketingut, produksionit audiovizual dhe komunikimit strategjik.
Me këtë emërim, RTVM sërish ka një zëvendësdrejtor shqiptar, pozitë që kishte mbetur vakant që nga viti 2021 pas pensionimit të Harun Ibrahimit.
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka kundërshtuar emërimin, duke e cilësuar të paligjshëm dhe të motivuar politikisht. Partia kërkoi nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria të hetojnë procedurën, ndërsa u bëri thirrje edhe organizatave mediatike dhe faktorëve ndërkombëtarë të reagojnë, duke vlerësuar se RTVM po politizohet.

