Meidani: Do ta forcojnë bashkëpunimin përtej çdo zhurme
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka përcjellë një mesazh për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke theksuar se dialogu dhe miqësia janë më të forta se ndasitë politike.
Përmes një postimi në Facebook, Meidani bëri të ditur se, së bashku me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë të Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limani, ministren shqiptare Ogerta Manastirliu dhe zëvendësministren Vilma Premti, morën pjesë në një aktivitet me studentë nga të dy anët e kufirit.
Ambasadori i uroi mirëseardhje Limanit në Shqipëri dhe e falënderoi atë, si edhe familjen e tij, për kontributin ndër vite. Ai theksoi se, pavarësisht “zhurmës” që krijohet herë pas here nga individë të caktuar, bashkëpunimi institucional dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve do të vazhdojnë të forcohen.
“Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika“, shkroi Meidani, duke vlerësuar gjithashtu organizatorët e kampit rinor dhe rëndësinë e krijimit të hapësirave që nxisin miqësinë dhe bashkëpunimin mes të rinjve.

