Fondi paralajmëron kontrolle të shtuara në spitale dhe ambulanca – synon të parandalojë pagesat e pajustifikuara nga pacientët
Fondi për Sigurim Shëndetësor paralajmëron kontrolle të shtuara në institucionet shëndetësore, me qëllim parandalimin e pagesave të pajustifikuara nga pacientët për shërbimet që tashmë mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.
Nga Fondi bëjnë të ditur se kontrollet do të përqendrohen në verifikimin e pagesave dhe respektimin e detyrimeve kontraktuale nga institucionet shëndetësore me të cilat kanë lidhur marrëveshje.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet rasteve kur për të njëjtin shërbim shëndetësor pagesa merret edhe nga Fondi, edhe nga pacienti. Gjithashtu, do të kontrollohet nëse shërbimet e kryera përputhen me ato të faturuara, si dhe nëse shumat që u kërkohen pacientëve janë në përputhje me rregullat në fuqi.
Nga Fondi rikujtojnë se pacientët nuk kanë detyrim të paguajnë shuma shtesë për shërbimet shëndetësore që mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, në institucionet me të cilat Fondi ka kontratë. Përjashtim bën vetëm participimi i përcaktuar me ligj, në rastet kur ai parashihet për shërbimin konkret.
Kjo vlen për shërbimet shëndetësore në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor: parësor, dytësor dhe tretësor, në përputhje me të drejtat dhe kushtet e përcaktuara për realizimin e tyre.
Institucionet shëndetësore, ndërkaq, janë të detyruara që në vende të dukshme dhe lehtësisht të qasshme të afishojnë informacionet për lartësinë e participimit. Për çdo pagesë të kryer, ato duhet gjithashtu të lëshojnë dëshminë përkatëse, siç parashihet me ligj.
Fondi paralajmëron se në rast të konstatimit të parregullsive do të ndërmarrë masa përkatëse, në kuadër të kompetencave të tij. Ndërsa personat e siguruar që kanë informacione për pagesa të pabazuara mund të paraqesin denoncim në Sektorin për Kontroll të Fondit.
Çështja e pagesave për shërbimet që duhet të jenë falas ishte ngritur edhe në prill të këtij viti, kur shoqata HERA publikoi të dhëna se 80 për qind e grave kanë paguar për shërbime gjinekologjike që duhet të mbulohen nga sigurimi shëndetësor.

