PASHOLLI KËRKON PËRFSHIRJEN E OPOZITËS NË INTEGRIMIN EVROPIAN, MICKOSKI E FTON NË EKIPIN NEGOCIUES
Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, kërkoi nga kryeministri Hristijan Mickoski strategji konkrete për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian dhe garanci për vazhdimin e negociatave me BE-në. Ajo kërkoi përfshirjen më të madhe të Kuvendit, veçanërisht të opozitës, në këtë proces.
Mickoski u përgjigj se opozita ka ftesë të hapur për t’u bërë pjesë e ekipit negociues me Bullgarinë. Ai paralajmëroi se Qeveria do të vazhdojë dialogun me Sofjen për harmonizimin e Planit të Veprimit për Pakicat, të cilin, sipas tij, e kanë pranuar 26 shtete anëtare të BE-së, me përjashtim të Bullgarisë.
Ndërkohë, pas takimit të javës së kaluar mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova Çamova, Mucunski deklaroi se nuk kishte pasur përparim në bisedime.

