Përplasje në Këshillin e Tetovës, opozita bllokon seancën për projektet publiko-private

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Këshillin Komunal të Tetovës kanë çuar në ndërprerjen e seancës së sotme. Opozita kërkon heqjen nga rendi i ditës të pikave 7 dhe 8, që lidhen me projekte përmes partneritetit publiko-privat, duke ngritur dyshime për rrezikimin e pronës publike dhe parregullsi në studimet e fizibilitetit.

Këshilltari i AKI-së, Berat Murati, paralajmëroi se opozita do të vazhdojë bllokimin e seancës.

“Ne nuk jemi kundër investimeve në Tetovë, jemi pro tyre, por jemi kundër vjedhjeve. Prandaj, sot tërë ditën do të rrimë këtu në protestë dhe do ta bllokojmë seancën”, deklaroi Murati.

Edhe këshilltari i LSH-së, Arlind Murtezani, kundërshtoi projektin për ndërtimin e objektit të zjarrfikësve, duke e cilësuar si pjesë të projekteve kontroverse të udhëheqjes komunale. Ndërkaq, Agron Arifi nga iniciativa “Më Mirë për Tetovën” kritikoi studimin e fizibilitetit, duke pretenduar se në të janë bërë ndryshime të dyshimta në vlerën e projektit.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mbrojti projektet dhe u shpreh i gatshëm për debat publik dhe propozime alternative nga ekspertët.

“Nëse kanë ekspertë që mund të ofrojnë një studim më të mirë, ne jemi të gatshëm ta pranojmë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur”, deklaroi Kasami.

Seanca arriti deri te pika e shtatë e rendit të ditës, por më pas u ndërpre për të vazhduar në ditët në vijim. Si pushteti, ashtu edhe opozita vlerësuan se për këto projekte nevojitet më shumë debat dhe informacion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *