Mickoski: Pres që dialogu me Bullgarinë të vazhdojë, zgjidhja përmes kompromisit
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pret që dialogu me Bullgarinë për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vazhdojë, me synimin që palët të afrojnë qëndrimet dhe të arrijnë një zgjidhje kompromisi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se si e sheh zgjidhjen e kontestit me Sofjen, pas deklaratave të tij se nuk do të ketë rinegocim dhe ndryshime kushtetuese me efekt të shtyrë, Mickoski tha se është i kënaqur që dialogu ka nisur dhe se partnerët ndërkombëtarë janë të informuar për procesin.
“E bukura e demokracisë është të bisedosh kur ke qëndrime të ndryshme, ndërsa mjeshtëria në demokraci qëndron në afrimin e këtyre qëndrimeve të ndryshme dhe arritjen e një kompromisi në fund. Pres që dialogu të vazhdojë dhe që, në një moment të caktuar, qëndrimet të afrohen dhe të arrijmë një zgjidhje”, deklaroi Mickoski.
Sa i përket mundësisë së një takimi të ri para samitit të Bashkimit Evropian në dhjetor, kryeministri nuk bëri të ditur ndonjë datë konkrete, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet pa presion.
“Procesi le të ecë në rrjedhën e tij të natyrshme. Për gjithçka që duhet të dijë opinioni publik, do të informohet me kohë”, tha Mickoski.
Deklaratat e kryeministrit vijnë pas takimit të ministrave të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe homologut të tij bullgar, të mbajtur më 8 tetor në Sofje, i cili nuk solli rezultate konkrete për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit.
Pas takimit, Mucunski deklaroi se qëndrimet e Shkupit dhe Sofjes mbeten dukshëm larg njëra-tjetrës. Ndërkaq, nga pala bullgare u bë e ditur se Shkupit i është kërkuar të tregojë se kur planifikon t’i realizojë ndryshimet kushtetuese.
Takimi u zhvillua me kërkesë të palës maqedonase, pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup më 2 tetor. Gjatë kësaj vizite, ajo inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve për tejkalimin e bllokadës në procesin e integrimit evropian.
Ndryshimet kushtetuese, kusht për vazhdimin e procesit
Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për të vazhduar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e komunitetit bullgar, si dhe të komuniteteve të tjera, në Preambulën e Kushtetutës.
Ky detyrim buron nga kompromisi i arritur në vitin 2022, pas vetos bullgare që kishte bllokuar procesin e integrimit evropian të vendit për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me çështjet historike, gjuhësore dhe statusin e komunitetit bullgar.
Më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, duke shënuar hapjen formale të procesit të negociatave. Megjithatë, përparimi i mëtejshëm mbetet i kushtëzuar nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, për të cilat kërkohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

