Dokumentet personale në telefon, më 28 tetor promovohet aplikacioni “m.Shërbime”
Më 28 tetor, në Filarmoninë e Maqedonisë, do të promovohet zyrtarisht aplikacioni mobil “m.Shërbime”, përmes të cilit qytetarët do të mund të kenë qasje në dokumentet personale në formë digjitale dhe në shërbimet elektronike të administratës.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i cili sqaroi se aplikacioni është në fazën përfundimtare të testimit. Në ngjarje do të flasë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili do të prezantojë prioritetet e Qeverisë për digjitalizimin e shtetit.
Fillimisht, aplikacioni do të mundësojë qasje në versionin elektronik të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, si dhe në tri shërbime për qytetarët. Ai do të jetë falas dhe përdorimi i tij do të jetë vullnetar, ndërsa qytetarët do të mund ta shkarkojnë nga platformat Google Play dhe App Store.
Për t’u kyçur, përdoruesit do të duhet të përdorin llogarinë e tyre në Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike, uslugi.gov.mk.
Sipas Andonovskit, synimi është që aplikacioni gradualisht të shndërrohet në një portofol digjital, ku do të përfshihen më shumë dokumente dhe shërbime. Ministri bëri të ditur se po zhvillohen bisedime për përfshirjen e të dhënave shëndetësore dhe kartelës evropiane të të rinjve.
Megjithatë, pranimi i dokumenteve elektronike nga institucionet do të bëhet gradualisht, pasi nevojiten ndryshime në aktet nënligjore dhe forcimi i kapaciteteve institucionale.

