Shtëpi, prona e qindra mijëra euro garanci për Grubin: Mbështetësit kërkojnë kthimin e pasaportës

Shtëpi, prona dhe para ofrohen si garanci nga qytetarët vetëm për Artan Grubin, ish-zëvendëskryeministrin dhe të akuzuarin në rastin „Lotaria Shtetërore“, në mënyrë që t’i kthehet pasaporta.

Pyetja që shtrohet është nëse bëhet fjalë për mbështetje të sinqertë dhe gatishmëri që prona personale të vihet në dispozicion si „shpëtim“ për një politikan, për presion ndaj drejtësisë apo përpjekje që Grubi të shndërrohet në një fenomen të viktimizimit?

Redaktori i portalit „Lideri.mk“, Isen Saliu, në një deklaratë për „Shtypin e Lirë“ hap edhe një aspekt tjetër lidhur me ofertat e mbështetësve të të akuzuarit. Sipas tij, pronat dhe shtëpitë që ofrohen mund të jenë edhe një mënyrë për t’ua „kujtuar“ funksionarëve të BDI-së që edhe ata ta vënë pasurinë e tyre në garanci për të mirën e bashkëpartiakut. Nga koalicioni qeverisës VLEN, ndërkaq, nuk kanë dilemë se makineria partiake është vënë në lëvizje për mbrojtjen e Grubit.

Postime në rrjetet sociale, nga Çairi deri në Veles

Një person me emrin Muhamet Ameti, përmes rrjeteve sociale, deklaroi se është i gatshëm ta vendosë shtëpinë e tij si garanci për Grubin, por nuk la pa kritikuar as VLEN-in.

„Nuk vlen asgjë tjetër përveç garancisë për pasaportën e Artanit. Madje edhe shtëpinë time do t’ia garantoj Artanit! Mjaft më me shfaqje dhe populizëm. Populli e di kush punon dhe kush vetëm flet“, shkroi Ameti.

Sheval Baftiu nga Çairi i Shkupit deklaroi se është i gatshëm të vërë në dispozicion gjithçka që ka ndërtuar me punën e tij.

„Çfarëdo që kam ndërtuar me punën time, pronë, pasuri dhe gjithçka tjetër që kam, jam i gatshëm t’ia vë në dispozicion Artan Grubit, sepse ky është besimi im personal. Nuk e them këtë për një postim, për fotografi apo për interes. E them sepse besoj se një njeri nuk braktiset vetëm sepse ndaj tij janë ngritur akuza dhe presion. Artan Grubi nuk është vetëm, pas tij qëndron një ushtri njerëzish që nuk e kanë harruar punën dhe kontributin e tij“, shkroi Baftiu.

Blero Arifi nga Velesi deklaroi se është i gatshëm t’i vërë në dispozicion të gjitha mjetet e tij si garanci për lirimin e Grubit.

„Jam i gatshëm të vë në garanci gjithçka që kam – pasurinë time dhe, me pëlqimin e familjes, edhe pasurinë e tyre për lirimin e Artan Grubit“, shkroi Arifi.

Sipas tij, gatishmëria për të vënë të gjithë pronën si garanci në favor të Grubit është më shumë një akt simbolik, pasi nuk dihet nëse do ta bënin një gjë të tillë nëse do të kishte vërtet nevojë.

„Por, sigurisht, kjo paraqet edhe një nxitje për bashkëpartiakët e Grubit, të cilët kanë shumë më tepër prona dhe pasuri sesa qytetarët që janë të gatshëm të ‘sakrifikohen’ për të. Këto iniciativa të qytetarëve nxjerrin në pah edhe një fenomen tjetër të këtij rajoni, që është shprehja e solidaritetit nga një pjesë e opinionit ndaj figurave politike që përballen me procese gjyqësore, edhe nëse këta politikanë nuk kanë qenë aq të popullarizuar në të kaluarën“, përfundon Saliu.

VLEN: Aktivistët e BDI-së mbrojnë „shpëtimtarin e Mijallkovit“

Nga VLEN pyesin se kujt i përket prona që ofrohet si garanci dhe si është fituar ajo.

„Edhe fëmijët, edhe të rriturit e dinë se sa vite punë dhe sakrificë nevojiten për të ndërtuar një shtëpi. Ndërsa për problemin e Grubit, qindra mijëra euro vendosen menjëherë në tavolinë?! Pyetja kryesore është pse, kur problem ishte qytetari, nuk kishte as para, as zgjidhje dhe as përgjegjësi.

Gjatë qeverisjes së BDI-së, më shumë se 350 mijë shqiptarë u larguan jashtë vendit. Ndërsa shqiptarët largoheshin për të siguruar ekzistencën dhe një jetë më të mirë, funksionarët e BDI-së ndërtonin prona, ndërsa sot aktivistët e tyre dalin për të mbrojtur ‘shpëtimtarin e Mijallkovit’, njeriun në listën e zezë amerikane dhe njeriun që e solli bixhozin në çdo vendbanim shqiptar.

Ky është dallimi mes problemeve të qytetarëve dhe problemeve të BDI-së. BDI-ja e kishte pushtetin, ndërsa shqiptarëve u la mërgimin ose 335 mijë euro për hallin e Grubit, ndërkohë që më shumë se 350 mijë shqiptarë e braktisën vendin“, reagojnë nga VLEN.

Arresti shtëpiak i Grubit skadon më 13 tetor. Ai kërkon kthimin e pasaportës, duke ofruar garanci në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *