ASK heton rrjet propagandistik me lidhje proruse në Maqedoninë e Veriut
Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë, po zhvillon hetime ndaj një rrjeti propagandistik, i cili, sipas Agjencisë, vepron në funksion të interesave ruse.
ASK-ja njofton se para dy javësh është kryer bastisje në shtëpinë e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Gjatë aksionit janë sekuestruar pajisje dhe materiale, të cilat aktualisht po i nënshtrohen ekspertizës.
Sipas ASK-së, rrjeti përdor pseudo-portale të klonuara, të regjistruara me domene maqedonase, përmes të cilave përhapen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe riformësohen narrativat për ngjarjet aktuale.
“Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara të regjistruara me domen maqedonas të internetit. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme, dezinformata dhe bëhet riformësimi i narrativave për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucione dhe duke nxitur urrejtje dhe intolerancë etnike dhe kombëtare.”
Agjencia thotë se aktivitetet e këtij rrjeti synojnë të ndikojnë në diskursin publik dhe, sipas saj, të minojnë besimin në institucionet e vendit dhe të nxisin tensione etnike e kombëtare.
ASK-ja paralajmëron se do të vazhdojë aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e asaj që i cilëson si aktivitete subversive-propagandistike përmes një rrjeti portalesh të lidhura me struktura politike rajonale proruse.
“Agjencia, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë të ndërmarrë aktivitete për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve subversive-propagandistike përmes një rrjeti portalesh të lidhura me struktura politike rajonale proruse, përmes të cilave drejtpërdrejt minohen proceset strategjike të integrimit evropian të vendit.”
Raste të përhapjes së propagandës dhe ndikimit të huaj përmes platformave online janë raportuar edhe më herët në Maqedoninë e Veriut. ASK-ja në mars të këtij viti kishte njoftuar për zbulimin e aktiviteteve subversive-propagandistike të aktorëve vendas dhe të huaj joshtetërorë, ndërsa në rastin e fundit Agjencia për herë të parë i referohet publikisht një rrjeti që, sipas saj, lidhet me struktura rajonale proruse.
Lidhja konkrete ndërmjet këtij rrjeti dhe strukturave të përmendura nuk është bërë publike në detaje nga institucionet, ndërsa hetimet dhe ekspertiza e materialeve të sekuestruara janë në zhvillim.

