TAV tërheq kufizimin për “Hug & Fly” në Aeroportin e Shkupit pas ndërhyrjes së Komisionit të Konkurrencës

TAV Maqedoni e ka tërhequr vendimin që kufizonte përdorimin falas të zonës “Hug & Fly” në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit në vetëm një hyrje brenda 24 orëve për çdo automjet.

Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës njoftoi se, gjatë analizës së kushteve dhe regjimit të përdorimit të kësaj zone, nga TAV Maqedoni kërkoi sqarime dhe të dhëna shtesë lidhur me kufizimin e vendosur.

Pas kërkesës së Komisionit, TAV Maqedoni e njoftoi se e ka tërhequr masën.

Komisioni e ka përshëndetur vendimin e TAV-it dhe bëri të ditur se do të vazhdojë të monitorojë gjendjen dhe kushtet për qasje në infrastrukturën e aeroportit, veçanërisht sa i përket sigurimit të kushteve të barabarta dhe jodiskriminuese për të gjithë pjesëmarrësit në treg.

Vendimi i mëparshëm i TAV Maqedonisë parashikonte që automjetet të mund të ndalonin falas deri në 10 minuta në zonën “Hug & Fly”, për të lënë ose marrë pasagjerë, por vetëm një herë brenda një periudhe 24-orëshe.

Kundër këtij regjimi kishte reaguar Shoqata e Taksistëve, e cila argumentoi se kufizimi mund të dëmtonte transportuesit e licencuar, të ndikonte në çmimet për udhëtarët dhe të krijonte kushte të pabarabarta konkurruese. Shoqata kishte kërkuar që të lejohen disa hyrje të shkurtra falas gjatë ditës.

Pas reagimeve, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës njoftoi se do ta shqyrtonte vendimin e TAV-it. Tashmë, para përfundimit të shqyrtimit, TAV Maqedoni e ka tërhequr masën.

Pra, kufizimi një hyrje falas në 24 orë nuk do të zbatohet më.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *