Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kërkon përjashtimin e OJQ-ve nga Ligji për lobim

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kërkon që shoqatat dhe fondacionet të përjashtohen qartë nga zbatimi i Ligjit për lobim, kur aktivitetet e tyre zhvillohen në përputhje me qëllimet dhe veprimtaritë e përcaktuara në Ligjin për shoqata dhe fondacione.

Rrjeti thotë se e mbështet nevojën për një sistem transparent dhe të përgjegjshëm të lobimit në Maqedoninë e Veriut, por shpreh shqetësim se ndryshimet e propozuara në ligj mund të sjellin paqartësi juridike dhe ngarkesa shtesë për sektorin civil.

Sipas tyre, problematike është veçanërisht futja e përkufizimit të “interesit publik” si kriter për dallimin mes përfaqësimit dhe lobimit. Rrjeti vlerëson se ky përkufizim mund të mos mbulojë të gjitha çështjet për të cilat organizatat civile kanë të drejtë dhe interes legjitim të veprojnë.

“Çfarë do të ndodhë me një organizatë që përfaqëson një çështje e cila nuk mund të përfshihet qartë në përkufizimin ligjor të ‘interesit publik’: a do të konsiderohet përfaqësimi i saj si lobim dhe a do të duhet organizata të regjistrohet si lobiste?”, pyet Rrjeti.

Nga organizata theksojnë se Ligji për shoqata dhe fondacione tashmë u garanton organizatave të drejtën për të shprehur dhe promovuar qëndrimet e tyre, për të iniciuar nisma, për të marrë pjesë në krijimin e opinionit publik dhe në proceset e hartimit të politikave.

Rrjeti paralajmëron se rregullimi i aktiviteteve të njëjta ose të ngjashme përmes dy ligjeve mund të krijojë interpretime të ndryshme dhe përplasje juridike. Sipas tyre, kjo mund të ndikojë edhe në gatishmërinë e organizatave qytetare për të marrë pjesë në proceset e hartimit të politikave publike.

Si zgjidhje, Rrjeti propozon që në Ligjin për lobim të përfshihet një dispozitë e veçantë që sqaron se ligji nuk zbatohet ndaj shoqatave dhe fondacioneve të themeluara dhe të regjistruara në përputhje me Ligjin për shoqata dhe fondacione, kur ato veprojnë brenda qëllimeve dhe aktiviteteve të tyre statutore.

Kjo, sipas propozimit, do të përfshinte shprehjen dhe promovimin e qëndrimeve, inicimin e nismave, përfaqësimin e interesave dhe të drejtave, pjesëmarrjen në konsultime publike dhe diskursin publik, si dhe pjesëmarrjen në krijimin, miratimin, ndryshimin, zbatimin dhe vlerësimin e politikave publike dhe rregulloreve.

Rrjeti vlerëson se një përjashtim i tillë nuk do ta cenonte transparencën e lobimit, por do të qartësonte dallimin mes lobimit profesional për interesa konkrete dhe përfaqësimit qytetar në jetën publike.

“Ligji duhet të përcaktojë qartë se çfarë rregullon, ndërsa shoqatat dhe fondacionet duhet ta dinë paraprakisht se e drejta e tyre ligjore për të përfaqësuar ndryshime shoqërore nuk mund të trajtohet si lobim i paregjistruar”, thuhet në reagimin e Rrjetit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *