Qeveria kërkon tërheqjen e postimit për Mlladiqin, në të kundërt Kitanoviqi pritet të dorëhiqet

Qeveria u distancua nga postimi i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, kushtuar Ratko Mlladiqit, duke e cilësuar qëndrimin e tij personal dhe të papranueshëm. Nga Qeveria njoftuan se do t’i kërkojnë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin, ndërsa nëse nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, pritet të japë dorëheqje nga funksioni që ushtron.

“Qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe bazohet në faktet juridike të përcaktuara ndërkombëtarisht”, thuhet në reagimin e Qeverisë ndaj postimit të Kitanoviqit.

Nga Qeveria theksojnë se Ratko Mlladiq është dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Sipas tyre, bartësit e funksioneve publike duhet t’i respektojnë politikat dhe qëndrimet e institucionit ku ushtrojnë funksionin.

“Voluntarizmi është i papranueshëm dhe Qeveria do t’i kërkojë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin”, thuhet në reagim.

Nëse ai nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, nga institucioni presin që të tërhiqet nga pozita që ushtron.

Reagimi vjen pasi të premten, më 28 gusht, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, shpërndau një përmbajtje që glorifikonte figura çetnike dhe ish-komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Ndërkohë, edhe nga partia e Ivan Stoilkoviqit është publikuar një mesazh që glorifikon Ratko Mlladiqin, duke e paraqitur atë si “shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *