PLD kërkon nga Qeveria të distancohet nga glorifikimi i Ratko Mlladiqit
Partia Liberal-Demokrate (PLD) kërkoi nga Qeveria që publikisht dhe pa mëdyshje të distancohet nga glorifikimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Nga PLD theksojnë se kjo nuk është çështje e qëndrimit politik apo e përkatësisë kombëtare, por çështje e respektimit të fakteve të përcaktuara me vendime të formës së prerë.
“Për gjenocidin nuk ka ‘një anë tjetër të historisë’ kur faktet janë përcaktuar me aktgjykime të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare”, thonë nga PLD.
Sipas partisë, është veçanërisht e papranueshme që glorifikimi i Mlladiqit të lidhet me persona që ushtrojnë funksione të larta shtetërore. PLD kërkon që Qeveria të distancohet nga veprimet e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale dhe drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, si dhe të përcaktojë përgjegjësinë politike.
“Nuk mundet Maqedonia para Brukselit të thirret në vlerat evropiane, ndërsa brenda vendit Qeveria të heshtë kur zyrtarët e saj marrin pjesë në madhështimin e një personi të dënuar për gjenocid”, theksojnë nga PLD.
Partia kërkon që rasti të shqyrtohet edhe nga aspekti i përgjegjësisë eventuale penale. Nga PLD i referohen nenit 407-a të Kodit Penal, i cili lidhet me mohimin publik, minimizimin e rëndë, miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës përmes një sistemi informativ.
Prandaj, PLD kërkon që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike, në kuadër të kompetencave të tyre, të hetojnë sipas detyrës zyrtare të gjitha publikimet, deklaratat dhe veprimet që lidhen me rastin dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të veprojnë në përputhje me Kodin Penal.
“Funksioni shtetëror nuk duhet të jetë mburojë ndaj ligjit”, porositën nga partia.
Kujtojmë se drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, ka shpërndarë një publikim me përmbajtje glorifikuese ndaj figurave çetnike dhe ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq.
Ndërkohë, edhe partia e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, ka publikuar një mesazh që glorifikon Ratko Mlladiqin, duke e paraqitur atë si „shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë“.
Në mesazh thuhet se Mlladiqi „e donte popullin e tij“, se „i shërbeu gjatë gjithë jetës“ dhe se „e shpëtoi popullin serb në Bosnjë nga gjenocidi“, ndërsa gjykimi ndaj tij në Hagë cilësohet si „i padrejtë“ dhe „i politizuar“.

