Alarmante: 12 mijë fëmijë mund të jenë ekspozuar ndaj abuzimit seksual online

Deri në 12 mijë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç në vend mund të jenë ekspozuar gjatë një viti ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të lehtësuar përmes teknologjisë. Të dhënat janë pjesë e hulumtimit “Disrupting Harm”, i cili u prezantua sot.

Sipas raportit, 48 për qind e fëmijëve të prekur janë ekspozuar ndaj më shumë se një forme të abuzimit ose shfrytëzimit.

Në 78 për qind të rasteve, kryerësi ka qenë person i njohur për fëmijën, ndërsa vetëm në 5 për qind të rasteve ka qenë i panjohur. Në 57 për qind të rasteve kryerësit kanë qenë të rritur, ndërsa në 22 për qind bashkëmoshatarë.

Në 39 për qind të rasteve ka qenë i përfshirë partneri aktual ose ish-partneri intim, apo një person ndaj të cilit fëmija kishte ndjenja, ndërsa në 27 për qind të rasteve një anëtar i familjes.

Rrjetet sociale kanë qenë të përfshira në 52 për qind të rasteve, ndërsa 30 për qind kanë ndodhur përmes platformave të lojërave online. Platformat më të përmendura janë Instagrami (76%), Snapchat (55%), TikTok (51%), WhatsApp (40%), Facebook (34%), YouTube (29%) dhe X (21%).

Forma më e shpeshtë e abuzimit ka qenë ekspozimi i fëmijëve ndaj përmbajtjeve seksuale pa pëlqimin e tyre, ndërsa janë raportuar edhe raste kur fëmijëve u është kërkuar të dërgojnë fotografi ose video ku shfaqen pjesët intime të trupit.

Raporti tregon edhe pasoja serioze në mirëqenien e fëmijëve. Ata që janë ekspozuar ndaj kësaj forme abuzimi kanë 11 herë më shumë gjasa për vetëdëmtim dhe 12 herë më shumë gjasa për mendime apo sjellje vetëvrasëse, si dhe nivele dukshëm më të larta të ankthit.

Pavarësisht kësaj, raportimi te institucionet mbetet jashtëzakonisht i ulët. Edhe pse 88 për qind e fëmijëve ia kanë treguar abuzimin dikujt, vetëm 1 për qind kanë raportuar në polici, 1 për qind në qendrat për punë sociale dhe vetëm 0.2 për qind kanë kontaktuar linjë ndihme.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, tha se raporti ndihmon institucionet të kuptojnë më mirë rreziqet me të cilat përballen fëmijët në mjedisin digjital dhe mënyrën se si duhet të ndërhyhet më efikas.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller, i cilësoi gjetjet si “thellësisht shqetësuese”, duke theksuar se abuzimi nuk është vetëm problem online, por shpesh ndërthuret me mjediset fizike ku jetojnë fëmijët.

Ajo theksoi se përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve nuk mund t’u lihet vetë atyre dhe kërkoi një përgjigje të koordinuar të institucioneve në arsim, drejtësi, shëndetësi, shërbime sociale, zbatim të ligjit dhe qeverisje digjitale.

Ndërkohë, një analizë e Avokatit të Popullit për periudhën 2020-2025 ka evidentuar 604 raste të abuzimit seksual të fëmijëve në vend, ku viktima më e vogël ishte vetëm 3 vjeç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *