Promovohet e-Shkenca, regjistri kombëtar për hulumtuesit në Maqedoninë e Veriut
Sot u promovua portali publik e-Shkenca, baza kombëtare elektronike e të dhënave për hulumtuesit dhe veprimtarinë shkencore-kërkimore në Maqedoninë e Veriut. Portali përmban të dhëna për hulumtuesit, institucionet shkencore, si dhe statistika e indikatorë të kërkimit shkencor.
e-Shkenca është i lidhur me Scopus, Web of Science dhe Google Scholar, duke mundësuar shfaqjen e publikimeve, citimeve dhe indeksit h të hulumtuesve. Deri tani në sistem janë regjistruar 229 hulumtues.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u bëri thirrje hulumtuesve nga universitetet dhe institucionet shkencore, si dhe studiuesve jashtë vendit, të regjistrohen në portal.
“Edhe sektori publik, të gjitha institucionet, agjencitë dhe fondet, marrin një pasqyrë transparente të kapacitetit tonë kombëtar kërkimor, mundësi për kontakte dhe për marrjen e vendimeve të bazuara në dëshmi shkencore”, tha Janevska.
Sipas Ministrisë, buxheti për shkencën është rritur nga 380 milionë denarë në vitin 2024, në 680 milionë në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 janë parashikuar 773 milionë denarë.

