BDI akuzon drejtorin e MEPSO-s për dëm prej 19.3 milionë eurosh
BDI opozitare ka reaguar ndaj drejtorit të MEPSO-s, Burim Latifi, duke pretenduar se ndërmarrja shtetërore është përballur me një dëm prej rreth 19.3 milionë eurosh pas një procedure paraarbitrale me kompaninë “Energoinvest”.
Sipas BDI-së, kanë kaluar gati katër muaj nga kërkesa e tyre për përgjegjësi dhe transparencë, ndërsa qytetarët ende nuk kanë marrë përgjigje të plota për vendimet që çuan MEPSO-n në kontest ndërkombëtar. Nga partia kërkojnë të sqarohet kush ka marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës dhe kush do të mbajë përgjegjësi për pasojat eventuale financiare.
“Faktet e bëra publike janë serioze. Në procedurën paraarbitrale para DAB-it, MEPSO humbi rastin në një shumë prej rreth 19,3 milionë eurosh, ndërsa vendimi ishte në favor të kompanisë paraprake “Energoinvest”. Tani çështja po zhvendoset në arbitrazh, ku ndërmarrja shtetërore duhet të mbrojë pozitat dhe pretendimet e saj pas një rezultati të pafavorshëm në fazën paraprake. Në të njëjtën kohë, MEPSO ka lidhur kontratë të re me miliona euro me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, pjesë e të cilit janë “Kodar Energomontaža” nga Beogradi dhe “Elnos BL” nga Banja Luka. Pikërisht për këtë të fundit në opinion janë ngritur akuza për afërsi me qarqe të lidhura me Milorad Dodikun”, shkruan në kumtesën e BDI-së.
BDI ngre gjithashtu pikëpyetje për kontratën e re milionëshe të MEPSO-s me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, ku marrin pjesë kompani nga Beogradi dhe Banja Luka. Partia kërkon që Prokuroria Publike dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të sqarojnë nëse është hapur ndonjë procedurë për rastin.
Nga ana tjetër, drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka deklaruar më herët se ndërmarrja do të hyjë në procedurë arbitrazhi me “Energoinvest”, pasi në fazën paraarbitrale është vendosur që MEPSO t’i paguajë kompanisë rreth 6 milionë euro për ndërprerjen e njëanshme të kontratës për ndërtimin e një largpërçuesi 400 kilovoltësh.
BDI kërkon transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale, ndërsa MEPSO ka deklaruar më herët se problemet e evidentuara lidhen kryesisht me dobësi të trashëguara nga menaxhmentet e mëparshme.

