Nis gjykimi lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot, më 24 gusht, pritet të nisë gjykimi për rastin e keqpërdorimeve në SHA “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Metodija Dimovski dhe pesë persona të tjerë, shkruan Portalb.mk.
Prokuroria Themelore Publike Shkup më 13 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj gjithsej tetë personave, të cilët akuzohen si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë ndërmarrë veprime duke tejkaluar autorizimet dhe detyrat e tyre, me qëllim dëmtimin e Lotarisë Shtetërore. Dëmi i pretenduar kap vlerën prej 507.632.173 denarësh, ose mbi 8.2 milionë euro.
Prokuroria sqaron se të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm se Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit në terminalet e videolotarive në territorin e vendit, pasi kjo e drejtë ishte investuar në vitin 2013 si kontribut jomonetar në një shoqëri tjetër, në vlerë prej 6.244.898 eurosh.
Lënda, përmes sistemit të shpërndarjes automatike, i është caktuar gjyqtares Biljana Shuplinovska-Jovevski, ndërsa seanca e parë është caktuar për sot në ora 10:00.
Për Artan Grubin është propozuar vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak, së bashku me masat e kujdesit, përfshirë marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit.
Për të akuzuarit e tjerë janë propozuar masa kujdesi, përfshirë detyrimin për paraqitje periodike në gjykatë, marrjen e dokumenteve të udhëtimit dhe ndalimin e afrimit apo kontaktit me persona të caktuar.
Grubi u vetëdorëzua më 23 shkurt në pikën kufitare në Bllacë, pas më shumë se një viti në arrati. Fillimisht u dërgua në Burgun e Shutkës, ndërsa më pas masa e paraburgimit iu zëvendësua me arrest shtëpiak..

