38 raste me Ethet e Nilit Perëndimor, 4 persona kanë vdekur – nis fushata me SMS

Ka nisur fushata për informimin e qytetarëve përmes SMS-ve lidhur me Ethet e Nilit Perëndimor, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, deri më 18 gusht në vend janë regjistruar gjithsej 38 raste, prej të cilave 36 të konfirmuara dhe dy të mundshme. 37 raste janë regjistruar në rajonin e Shkupit, ndërsa një në Veles. Janë regjistruar edhe katër raste të vdekjes, të gjitha me formë neuroinvazive të sëmundjes.

Fushata informative përfshin dërgimin e rreth 38.500 SMS-mesazheve te qytetarët në komunat e prekura. Deri më tani janë dërguar 6.526 mesazhe, ndërsa rreth 31.365 të tjera pritet të dërgohen në ditët në vijim.

Sipas Klekovskit, rreth 70 për qind e mesazheve të dorëzuara janë lexuar nga pranuesit, të cilët kanë vizituar edhe lidhjen me informacione shtesë.

Katër personat që kanë humbur jetën ishin burra të moshës 62 deri në 83 vjeç nga Shkupi, të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Te tre prej tyre ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese.

Nga 38 rastet e regjistruara, 28 janë meshkuj dhe 10 femra.

Pas shpalljes së epidemisë në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel, autoritetet kanë intensifikuar masat për kontrollin e mushkonjave.

Dezinfektimi larvicid dhe adulticid po kryhet në mënyrë sistematike dhe të jashtëzakonshme, si nga ajri ashtu edhe në terren, në territorin e Shkupit dhe komunat Gazi Babë, Kisella Vodë, Haraçinë, Zelenikovë, Ilinden, Petrovec, Sopishtë, Çuçer Sandevë dhe Veles.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve të largojnë ujin e ndenjur nga oborret, të pastrojnë rregullisht ulluqet, të vendosin rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer dhe të përdorin repelentë. Gjithashtu rekomandohet shmangia e qëndrimit jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive.

Në rast të shfaqjes së temperaturës së lartë, dhimbjes së kokës, ngurtësisë së qafës apo simptomave të tjera, qytetarët këshillohen të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *