Operacion në 17 provinca të Turqisë: 30 të arrestuar, në shënjestër “perandoria ekonomike” e Sylejmanxhinjve

Autoritetet turke kanë zhvilluar një operacion të gjerë në 17 provinca kundër një organizate të dyshuar kriminale, e cila, sipas mediave turke, drejtohet nga Alihan Kuriş, kreu i lëvizjes së njohur si Sylejmanxhinjtë.

Operacioni, i iniciuar nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Ankarasë, është përqendruar në dyshimet për krime financiare, pastrim parash dhe parregullsi në aktivitete ekonomike.

Sipas raportimeve, deri tani janë arrestuar 30 persona, mes tyre edhe Alihan Kuriş. Për 49 persona janë lëshuar urdhër-arreste, ndërsa 10 të dyshuar vijojnë të kërkohen. Tre prej tyre dyshohet se ndodhen jashtë Turqisë.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar 123 adresa, prej të cilave 43 janë banesa dhe 80 ambiente biznesi që lidhen me 33 kompani.

Hetimi përqendrohet te aktivitetet financiare

Autoritetet turke kanë bërë të ditur se hetimi nuk lidhet me aktivitetet fetare apo shoqërore të grupimit, por me strukturën e tij ekonomike dhe mënyrën e funksionimit të kompanive që dyshohet se janë përdorur për veprimtari të paligjshme.

Në fokus janë dyshimet për korrupsion, pastrim parash, transaksione të dyshimta dhe qarkullim të konsiderueshëm financiar përmes kompanive me kapital të lartë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu transaksione tregtare me vlerë prej miliarda lirash turke.

Mbi 100 miliardë lira dyshohet se janë transferuar jashtë vendit

Sipas mediave turke, Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK) ka analizuar lëvizjet bankare dhe aktivitetin financiar të kompanive dhe personave të lidhur me hetimin.

Të dhënat paraprake, sipas këtyre raportimeve, tregojnë se më shumë se 100 miliardë lira turke dyshohet se janë transferuar jashtë vendit përmes personave dhe bizneseve të lidhura me grupimin.

Autoritetet po hetojnë edhe transferta me origjinë të huaj dhe dyshime për lidhje të mundshme me struktura izraelite në skema të pretenduara të pastrimit të parave.

Hetimi prek edhe asetet e kompanive

Në kuadër të procedurës, autoritetet kanë nisur masa për sekuestrimin dhe bllokimin e pasurive dhe aseteve të kompanive të përfshira në hetim.

Sipas autoriteteve, shtrirja përfundimtare e dëmit financiar dhe përgjegjësive të personave të dyshuar pritet të përcaktohet pas përfundimit të analizave financiare dhe ekspertizave gjyqësore.

Lëvizja e Sylejmanxhinjve ka shtrirje edhe jashtë Turqisë, përfshirë vende të Ballkanit. Struktura dhe aktivitete të lidhura me këtë komunitet janë raportuar edhe në qytete shqiptare, përfshirë Tetovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *