Matura shtetërore me mesatare 3,66, mbi 220 maturantë do ta ripërsërisin provimin në gusht

Maturantët e vitit shkollor 2025-2026 e kanë përmbyllur afatin e qershorit të provimit shtetëror të maturës me notë mesatare 3,66, pothuajse e njëjtë me mesataren e vitit të kaluar prej 3,69. Rezultatet përfundimtare janë llogaritur pas shqyrtimit të ankesave të nxënësve ndaj rezultateve preliminare, ndërsa këtë vit provimi u zhvillua për herë të parë sipas modelit të ri të maturës.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se koncepti i ri ka ndarë maturën në tri kategori – shtetërore, profesionale dhe artistike – duke mundësuar që nxënësit të testohen mbi programet që kanë ndjekur gjatë katër viteve të arsimit të mesëm. Sipas saj, rezultatet tregojnë stabilitet krahasuar me vitin e kaluar dhe përmirësim në raport me vitin 2024, kur nota mesatare ishte 3,26.

„Këtë vit, për herë të parë provimi u zhvillua sipas Konceptit të ri, i cili përcaktoi tri lloje të maturës-shtetërore, profesionale dhe artistike. Me këtë, të gjithë nxënësit u testuan për materialin që realisht e kanë mësuar gjatë katër viteve të arsimit të mesëm, gjë që nuk ishte në të kaluarën, kur të gjithë testoheshin me të njëjtin material. Jam e kënaqur që për dy vite me radhë mbahet pothuajse e njëjta mesatare, ndryshe nga viti 2024, kur ajo ishte 3,26“, theksoi Janevska.

Sipas të dhënave zyrtare, nota mesatare në maturën shtetërore është 3,62, në maturën profesionale 3,91, ndërsa në maturën artistike 3,59. Ndërkohë, rezultatet më të mira sipas lëndëve janë shënuar në matematikë me mesatare 4,20, ndërsa në gjuhën amtare mesatarja ishte 3,93.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se 226 maturantëve u është anuluar provimi për shkak të kopjimit ose shkeljeve të konstatuara gjatë kontrollit të testeve dhe ata do të kenë mundësi ta japin sërish provimin në afatin e gushtit. Në total u paraqitën 14.587 nxënës, ndërsa afati i dytë i maturës do të nisë më 12 gusht me provimin e gjuhës së huaj dhe më 14 gusht me provimin e gjuhës amtare.

Matura shtetërore mbetet kusht për regjistrim në universitetet e vendit, ndërsa matura profesionale dhe ajo artistike u mundësojnë nxënësve vazhdimin e studimeve në programe përkatëse profesionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *