Shqipëria ndaloi hyrjen e Valon Belës dhe Bekir Halimit për 10 vjet, reagojnë të dy
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka bërë të ditur se vendimi për shpalljen person të padëshiruar të dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut, Valon Bela dhe Bekir Halimi, është marrë më 17 korrik, për shkak se, sipas autoriteteve shqiptare, ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
Lamallari deklaroi se vendimi është bazuar në informacionet e administruara nga agjencitë ligjzbatuese dhe është në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar. Ai theksoi se Shqipëria, në kuadër të afrimit me Bashkimin Evropian, duhet të ndërmarrë masa për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar çdo ndërhyrje që mund të dëmtojë vendin dhe rajonin.
Vendimi është kundërshtuar nga Valon Bela, i cili tha se është i pajustifikuar dhe se gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me struktura ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit, duke përmendur edhe mirënjohje të marra nga njësi amerikane.
Edhe Bekir Halimi e cilësoi ndalimin si padrejtësi, duke theksuar se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi. Halimi është imam nga Shkupi, ndërsa Bela ka qenë më herët aktiv në politikë dhe ish-drejtor ekonomik në Klinikën e Gjinekologjisë.
Valon Bela së fundmi kishte mbështetur publikisht protestat e ashtuquajtura “Revolucioni Flamingo” në Shqipëri përmes postimeve në rrjetet sociale.
Më herët, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte deklaruar se në këto protesta ka pasur edhe ndërhyrje nga jashtë, duke përmendur pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në qershor, autoritetet shqiptare ndaluan për 15 vjet hyrjen në vend edhe të predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti.

