30 zjarre në 24 orë në RMV, një ende nën kontroll – shteti synon të blejë edhe tre “Air Tractor”

Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 08:00 të 3 gushtit 2026, në territorin e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 30 zjarre në hapësira të hapura.

Sipas të dhënave të fundit të QMK-së, aktualisht nuk ka zjarre aktive në vend. Nga 30 zjarret e regjistruara, 29 janë shuar plotësisht, ndërsa një është vënë nën kontroll.

Zjarri që mbetet nën kontroll ndodhet në territorin e Komunës së Brodit Maqedonas, ndërmjet fshatrave Sllatinë dhe Greshnicë, ku digjet pyll i degraduar me drurë të ulët dhe vegjetacion i ulët.

QMK-ja informon se shërbimet kompetente vazhdojnë të monitorojnë situatën në terren dhe janë të gatshme të reagojnë shpejt në rast të shfaqjes së zjarreve të reja.

Ndërkohë, “Air Tractor”-ët janë rikthyer në qendër të debatit për kapacitetet e vendit në përballjen me zjarret. Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, deklaroi në emisionin “Top Tema” në Televizionin Telma se synimi i tij është blerja e edhe tre avionëve të tjerë për shuarjen e zjarreve, përfshirë një avion me dy ulëse për trajnimin e pilotëve.

Megjithatë, përballë ambicies për zgjerimin e flotës ajrore qëndron një problem i kahershëm – mungesa e pilotëve të trajnuar për drejtimin e këtyre avionëve. Kështu, ndërsa shteti synon të blejë mjete të reja për luftimin e zjarreve, mbetet e hapur çështja se kush do t’i drejtojë ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *