Vite me radhë në pritje: Pacientët me kancer presin me orë për terapi, Onkologjia ende pa zgjidhje

Premtime të reja për decentralizimin, por pacientët vazhdojnë të presin me orë të tëra

Vite me radhë, pacientët me kancer përballen me të njëjtin problem në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup – radhë të gjata, pritje me orë dhe mbingarkesë. Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga ministrat e shëndetësisë ndër vite, zgjidhja përfundimtare ende nuk është gjetur, s

Për pacientët që vijnë nga qytetet e tjera të vendit, situata është edhe më e vështirë. Ata duhet të udhëtojnë me orë drejt Shkupit dhe më pas të presin para dyerve të klinikës për të marrë terapinë.

Një pacient nga Kumanova, H.S., thotë se për të kjo situatë është bërë pjesë e përditshmërisë.

“Sa herë që vij, është e njëjta histori. Radhë të gjata, njerëz që shtyhen, pacientë që mezi qëndrojnë në këmbë. Unë vij nga Kumanova dhe duhet të udhëtoj çdo ditë, pastaj të pres orë të tëra. Nuk është e drejtë që ne që jemi më të sëmurët të trajtohemi kështu. Mjekët bëjnë ç’mundin, por ata janë të mbingarkuar. Faji është i sistemit që nuk ka bërë asgjë për vite me radhë”, tha ai.

Sipas tij, pacientët nga qytetet jashtë Shkupit janë më të dëmtuarit, pasi përveç pritjeve të gjata përballen edhe me shpenzime të transportit dhe humbje të kohës.

Një paciente nga Tetova, e cila tashmë shkon më rrallë në klinikë vetëm për kontrolle rutinë, thotë se asgjë nuk ka ndryshuar prej vitesh.

“Me vite të tëra e njëjta situatë, pacientët presin me orë para dyerve. Duhet të ketë më ndonjë zgjidhje”, tha ajo.

Ndërkohë, ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, premton se zgjidhja do të kërkohet përmes decentralizimit të trajtimit onkologjik dhe transferimit të një pjese të terapive jashtë Klinikës së Onkologjisë në Shkup.

Klekovski tha për Portalb.mk se pacientët që marrin terapi në formë tabletash duhet të kenë mundësi ta sigurojnë atë përmes barnatoreve, pa qenë të detyruar të udhëtojnë deri në Shkup.

Sipas tij, tashmë është mundësuar që disa terapi për kancerin e gjirit të merren në barnatore, ndërsa po analizohen mundësitë që një model i ngjashëm të zbatohet edhe për pacientët me kancer të prostatës.

“Për momentin kemi 150 pacientë që trajtohen në Tetovë përmes tabletave, ndërsa qëllimi ynë është që ky numër të rritet. Ndërsa në Spitalin 8 Shtatori, po kryhen analiza dhe punime që të bëhet një Repart Onkologjik dhe të kemi një spital ditor për të marrë terapinë onkologjike”, tha Klekovski.

Por vetë ministri pranon se pa një decentralizim më të madh, problemi i pritjeve në Klinikën e Onkologjisë nuk mund të zgjidhet.

“Pa decentralizim të theksuar, nuk do të largohen pritjet në Klinikën e Onkologjisë”, theksoi ai.

Krahas mbingarkesës së klinikës, një tjetër problem mbetet mungesa e kapaciteteve për radioterapi. Klekovski tha se sipas standardeve, një akcelerator duhet të jetë në dispozicion për rreth 300 mijë banorë, ndërsa Maqedonia e Veriut aktualisht ka vetëm tre akceleratorë.

Se decentralizimi është një nga zgjidhjet për uljen e pritjeve ka konstatuar edhe Enti Shtetëror i Revizionit. Sipas revizorëve, Ministria e Shëndetësisë duhet të shfrytëzojë më shumë kapacitetet e institucioneve publike shëndetësore që kanë kushte për trajtimin e pacientëve onkologjikë.

Decentralizimi i shërbimeve, sipas tyre, do të mund të shkurtonte pritjet, veçanërisht për pacientët nga qytetet jashtë Shkupit, dhe do të ulte presionin mbi Klinikën e Onkologjisë.

Në të njëjtën kohë, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje nuk po jep rezultatet e pritura. Vetëm në vitin 2023, për aktivitetet e skriningut janë shpenzuar 22.9 milionë denarë.

Ndërsa institucionet vazhdojnë të flasin për plane dhe decentralizim, pacientët vazhdojnë të përballen me realitetin e njëjtë – udhëtime të gjata, pritje me orë dhe një sistem që ende nuk ka gjetur zgjidhje për një problem që zgjat prej vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *