Komuna e Gostivarit: Situata po shkon drejt normalizimit, uji mund të përdoret për qëllime teknike
Komuna e Gostivarit njoftoi se situata në qytet po shkon drejt normalizimit të plotë, ndërsa shtabet e krizës në nivel lokal dhe qendror po funksionojnë në mënyrë efikase për sanimin e gjendjes.
Nga Komuna shprehen mirënjohës ndaj institucioneve, organizatave dhe të gjitha palëve të përfshira për angazhimin dhe gatishmërinë e treguar.
“Institucionet kompetente po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e plotë të situatës dhe sigurimin e kushteve të sigurta për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar mund të përdoret për qëllime teknike, ndërsa ekipet dhe ekspertët kompetentë po punojnë për sigurimin e ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Komuna ka premtuar se qytetarët do të informohen rregullisht dhe në mënyrë transparente për zhvillimet e mëtejshme dhe rekomandimet e institucioneve kompetente.
Në Gostivar është shpallur epidemi e problemeve gastrointestinale, pas rritjes së numrit të qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.
Ndërkohë, tre persona të dyshuar për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë. Sipas gjykatës, ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.
Gjatë kontrolleve, inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, në bashkëpunim me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar.
Pas dyshimeve për ndotje, uji u ndalua për pirje. Sipas rezultateve të analizave të publikuara nga Prokuroria më 20 korrik, në ujë janë konstatuar 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.

