Kompania “Stenton Gradba” nga Orizari i Epërm i Manastirit ka siguruar një kontratë publike me vlerë 1,67 milion euro nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut për rregullimin e terrenit dhe vendosjen e pajisjeve urbane përreth ndërtesës së institucionit, ndërsa procedura është zhvilluar pa ankand elektronik.

Kontrata është nënshkruar më 8 qershor 2026 mes pronarit të kompanisë, Goce Stojanoski, dhe kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Paralelisht, Kuvendi ka lidhur edhe një kontratë prej 67 mijë eurosh për mbikëqyrjen profesionale të punimeve me një grup prej tre kompanish nga Shkupi.

Sipas dokumenteve të publikuara në sistemin elektronik të prokurimeve publike, në procedurën për mbikëqyrje morën pjesë vetëm këto tre kompani, të cilat edhe u shpallën fituese. Vëmendje tërheq fakti se vlera e parashikuar e prokurimit dhe ajo e kontratës së nënshkruar përputhen plotësisht, deri në denarin e fundit, ndërsa në dokumentacion konfirmohet se nuk është zhvilluar ankand elektronik.

Fitimi i këtij tenderi rikthen në qendër të vëmendjes kompaninë “Stenton Gradba”, e cila në të kaluarën ishte objekt kritikash të ashpra nga VMRO-DPMNE. Në vitin 2025, kjo parti e akuzonte publikisht kompaninë se ishte favorizuar nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe se, në periudhën 2019–2023, kishte përfituar tenderë shtetërorë me vlerë mbi 66 milionë euro, duke kërkuar edhe hetim nga Prokuroria.

Megjithatë, pavarësisht kritikave të dikurshme, “Stenton Gradba” ka vazhduar të fitojë kontrata të rëndësishme publike edhe gjatë qeverisjes aktuale, përfshirë projekte për ndërtimin e një kopshti në Manastir, furnizime për digën “Otinja”, rikonstruksionin e sallave operative në kompleksin klinik “Nënë Tereza” dhe disa tenderë nga Komuna e Shtipit.

Kompania kishte marrë edhe një ndalesë të përkohshme gjyqësore për pjesëmarrje në tenderë në tetor të vitit të kaluar, por tani është rikthyer me një nga kontratat më të mëdha të dhëna nga Kuvendi gjatë këtij viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *