Qeveria shpall gjendje krize 30-ditore në Gostivar për shkak të krizës me ujin e pijshëm
Qeveria ka shpallur gjendje krize për 30 ditë në Komunën e Gostivarit për shkak të krizës me furnizimin me ujë të pijshëm, me qëllim koordinimin më efikas të institucioneve dhe tejkalimin sa më të shpejtë të situatës.
Vendimi është marrë pasi është vlerësuar se autoritetet lokale nuk kanë kapacitet të përballen të vetme me gjendjen e krijuar, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen dhe koordinimin në nivel qendror.
Nga Qeveria theksojnë se prioriteti kryesor mbetet mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i furnizimit të pandërprerë me ujë të pijshëm për banorët e Gostivarit, derisa sistemi i ujësjellësit të rikthehet plotësisht në funksion.
Njëkohësisht, ekzekutivi ka kërkuar nga Prokuroria Publike që të zhvillojë një hetim të plotë për rastin, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë për çdo person që ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Gjendja e krizës pritet të mundësojë mobilizimin më të shpejtë të resurseve shtetërore dhe ndërmarrjen e masave urgjente për normalizimin e furnizimit me ujë dhe menaxhimin e situatës epidemiologjike në komunë.

