Këshilli i Gostivarit ndan 600 mijë denarë për përballimin e epidemisë
Këshilli i Komunës së Gostivarit ka miratuar njëzëri ndarjen e 600 mijë denarëve për Kryqin e Kuq, si mbështetje për aktivitetet që lidhen me përballimin e epidemisë në territorin e komunës.
Sipas vendimit, fondet do të përdoren për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm, probiotikëve dhe mjeteve të tjera të nevojshme për qytetarët e prekur ose të rrezikuar nga situata epidemiologjike.
Në seancën e jashtëzakonshme, anëtarët e Këshillit diskutuan edhe për gjendjen e krijuar pas shpalljes së epidemisë në Gostivar. Gjatë debatit u theksua se në këtë periudhë është e nevojshme solidariteti dhe bashkëpunimi institucional, duke shmangur përplasjet politike.
Këshilltarët përshëndetën gjithashtu vendimin për formimin e një shtabi krize, i cili pritet të mblidhet së shpejti për të propozuar masa konkrete për menaxhimin e situatës.
Një pjesë e këshilltarëve kërkuan më shumë transparencë nga institucionet, duke theksuar se qytetarët presin përgjigje të qarta lidhur me sigurinë e ujit të pijshëm dhe rezultatet e analizave të ujësjellësit të Gostivarit.

