Qeveria mban seancë të jashtëzakonshme, pritet ulja e akcizës për karburantet
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të miratojë zgjatjen e masave të jashtëzakonshme dhe uljen e akcizës për benzinën dhe naftën.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se vendimi vjen si përgjigje ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, të ndikuara nga tensionet në Gjirin Persik dhe konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat kanë shkaktuar rritje të çmimit të naftës në bursat botërore.
Sipas Mickoskit, ulja e akcizës synon të frenojë rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në tregun vendor dhe të ruajë çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut ndër më të ulëtat në rajon.

