Shpallet epidemi gastrointestinale në Gostivar, mbi 200 pacientë kërkuan ndihmë brenda një dite

Qendra për Shëndet Publik në Tetovë ka shpallur zyrtarisht epidemi gastrointestinale në Gostivar, pas rritjes së ndjeshme të rasteve me simptoma të gastroenterokolitit.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Shaqir Zylbehari, bëri të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Repartin e Sëmundjeve Infektive të Spitalit të Gostivarit janë kryer 204 kontrolle, ndërsa tre pacientë janë hospitalizuar. Në Repartin e Pediatrisë janë regjistruar 140 kontrolle, prej të cilave 105 raste të reja, ndërsa në Qendrën e Emergjencës ndihmë kanë kërkuar edhe nëntë pacientë. Simptomat më të shpeshta janë diarreja dhe dhimbjet e barkut.

Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me ekipet epidemiologjike dhe të marrin pjesë në anketat që po zhvillohen, pasi të dhënat e mbledhura janë të rëndësishme për identifikimin e burimit të infeksionit.

Sipas drejtuesit të Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Dragan Kocinski, deri tani janë realizuar rreth 60 anketa epidemiologjike. Ai tha se, bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk është identifikuar ende një burim i përbashkët i infeksionit, pasi të prekurit kanë konsumuar ushqim në vende të ndryshme dhe kanë përdorur si ujë nga ujësjellësi, ashtu edhe ujë të ambalazhuar.

Autoritetet janë në pritje të rezultateve të analizave mikrobiologjike të mostrave të marra nga pacientët dhe nga rrjeti i ujësjellësit. Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka njoftuar se do të vendosë për hapat e mëtejshëm pas pranimit të rezultateve laboratorike.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka përsëritur rekomandimin që uji nga ujësjellësi i Gostivarit të mos përdoret për pirje apo gatim, madje as pas zierjes, deri në një njoftim të ri nga institucionet kompetente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *