Shtyhet sërish afati për qarkoren e Tetovës, punimet në Neproshten zgjasin deri në shtator
Punimet për rrethrrotullimin në fshatin Neproshten, pjesë e projektit të qarkores së Tetovës, nuk do të përfundojnë më 15 korrik, siç ishte paraparë fillimisht. Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka njoftuar se afati i ri për përfundimin e kësaj pjese të projektit është shtyrë deri më 1 shtator.
Zvarritja e punimeve ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët dhe mërgimtarët, të cilët ankohen për kolonat e gjata të automjeteve, pluhurin dhe ritmin e ngadaltë të punimeve, sidomos gjatë sezonit veror kur frekuenca e trafikut është më e lartë.
Nga NP “Rrugët Shtetërore” sqarojnë se punimet po zhvillohen në kushte të trafikut të rënduar, gjë që po e vështirëson realizimin e tyre sipas planit. Sipas institucionit, kontraktori është angazhuar maksimalisht për të përfunduar projektin sa më shpejt, por përshpejtimi i mëtejshëm i punimeve nuk ka qenë i mundur.
Kjo është hera e katërt që shtyhet afati për përfundimin e qarkores së Tetovës, projekt i promovuar në fillim të vitit 2024.
Qarkorja, me gjatësi 5.4 kilometra, do të lidhë fshatin Trebosh me Neproshten dhe autostradën Tetovë–Shkup. Projekti pritet të lehtësojë qarkullimin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë, duke shmangur kalimin e tyre nëpër qytetin e Tetovës.

