Rriten rastet me probleme gastrointestinale në Gostivar, autoritetet hetojnë dyshimet për ndotjen e ujit
Pas shtimit të rasteve me diarre, të vjella, dhimbje barku dhe temperaturë te qytetarët e Gostivarit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar kontrolle të jashtëzakonshme të cilësisë së ujit të pijshëm. Spitali i Gostivarit njofton për rritje të numrit të pacientëve, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë se mund të bëhet fjalë për viroza sezonale, pa lidhje epidemiologjike mes rasteve.
Ndërkohë, Qendra e Shëndetit Publik ka marrë mostra të reja të ujit për analiza, rezultatet e të cilave priten në ditët në vijim. Paralelisht, MPB-ja dhe Prokuroria po hetojnë dyshimet se në sistemin e ujësjellësit mund të jetë futur ujë i ndotur për të rritur presionin në rrjet, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Në hetime janë përfshirë edhe institucionet përgjegjëse për shëndetin publik dhe mjedisin.

