Dogana pengon kontrabandimin e 2 mijë ampulave mjekësore, kallëzim penal ndaj një shtetasi të Kosovës

Një ekip mobil i Drejtorisë së Doganave ka parandaluar tentimin për kontrabandimin e rreth 2 mijë ampulave me tretësirën mjekësore “Gadovist”, të fshehura në kabinën e një kamioni që drejtohej nga një shtetas i Kosovës.

Sipas Doganës, shoferi po transportonte profile alumini nga Turqia drejt Kosovës dhe u ndal për kontroll në pikën kufitare Deve Bair. Gjatë kontrollit të detajuar, ampulat u gjetën të fshehura në disa pjesë të kabinës, përfshirë shtratin, hapësirat e brendshme, mbi ulësen e shoferit dhe në bagazhin personal.

Preparatet mjekësore janë sekuestruar, ndërsa ndaj shoferit është ngritur kallëzim penal për veprën e kontrabandimit. Sipas autoriteteve, preparati “Gadovist” përdoret për ekzaminime me rezonancë magnetike dhe importi i tij kërkon leje të posaçme dhe kushte të veçanta transporti.

Drejtoria e Doganave njoftoi se vetëm gjatë këtij viti ka parandaluar 13 raste të kontrabandimit të barnave dhe preparateve mjekësore, duke sekuestruar rreth 29 mijë produkte mjekësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *