Opozita braktis seancën për ministrat e rinj, kërkon kërkimfalje nga Mickoski dhe Stoilkoviq


Opozita braktisi seancën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku po zhvillohej debati për zgjedhjen e ministrave të rinj në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë. Koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët njoftuan se nuk do të rikthehen në punimet e Kuvendit derisa kryeministri Hristijan Mickoski dhe kandidati për ministër Ivan Stoilkoviq të kërkojnë falje publike.

Tensionet nuk u ulën as pas mbledhjes urgjente të koordinatorëve të grupeve parlamentare. Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në emër të shumicës bëri thirrje për respektimin e Kodit Etik dhe për sjellje të përgjegjshme nga të gjithë deputetët. Megjithatë, opozita këmbënguli që kërkimfalja të vinte personalisht nga Stoilkoviq ose të paktën në emër të tij. Pas refuzimit, kërkoi ndërprerjen e seancës dhe vazhdimin e saj një ditë më vonë.

LSDM-ja organizoi edhe një konferencë të jashtëzakonshme për media, duke vlerësuar se zhvillimet në Kuvend kanë tejkaluar standardet demokratike. Sipas partisë, zëvendëskoordinatori Fatmir Bytyqi dhe deputeti Mitko Trajçulleski janë fyer gjatë debatit, ndërsa pas ndërprerjes së seancës, kandidati për ministër Ivan Stoilkoviq i ka sulmuar verbalisht me fyerje dhe sharje.

Oliver Spasovski deklaroi se një sjellje e tillë përbën gjuhë urrejtjeje dhe nuk i ka hije një kandidati për ministër. Ai theksoi se incidenti mund të krijojë klimë që nxit dhunën dhe kërkoi përgjegjësi politike.

Atmosfera u tensionua pas fjalimit të deputetit Mitko Trajçulleski, i cili kritikoi rikonstruksionin e Qeverisë, duke thënë se ai nuk sjell vizion të ri, por ngre dilema për orientimin strategjik të shtetit. Ai kritikoi edhe emërimin e propozuar të Ivan Stoilkoviqit në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, si dhe kandidaturën e Borçe Serafimovskit për ministër të Bujqësisë, duke përmendur pjesëmarrjen e tij në aktivitete të fondacionit rus “Bota Ruse”.

Në reagimin e tij, kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë akuzat e opozitës për ndikimin e të ashtuquajturës “botë serbe”, duke akuzuar LSDM-në për standarde të dyfishta. Ai tha se pikërisht LSDM-ja kishte kërkuar më herët mbështetjen e Ivan Stoilkoviqit gjatë procesit të ndryshimit të emrit të shtetit.

Pas largimit të deputetëve të opozitës, seanca parlamentare vazhdoi vetëm me shumicën parlamentare dhe deputetët e partisë Levica, të cilët gjithashtu kritikuan punën e Qeverisë gjatë dy viteve të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *