Kuvendi shkarkon tetë ministra në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në seancën e 112-të, ka miratuar propozimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për shkarkimin e tetë ministrave dhe dy zëvendësministrave, në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë.
Nga detyra janë shkarkuar ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Igor Stoiljkoviq, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, si dhe ministri pa resor, Shaban Saliu.
Gjithashtu janë shkarkuar zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, dhe zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
Duke arsyetuar propozimin, kryeministri Mickoski deklaroi se Qeveria që ai drejton bazohet në rezultate dhe jo në rehati politike.
“Nga dita e parë kam thënë se kjo nuk do të jetë Qeveri e rehatisë, por Qeveri e rezultateve. Funksionet nuk janë e drejtë e fituar, por obligim që duhet të dëshmohet çdo ditë. Sot tregojmë se ky parim vlen njësoj për të gjithë”, tha Mickoski.
Sipas propozimeve për emërimet e reja, Jeton Shaqiri nga koalicioni “VLEN” pritet të zgjidhet ministër i Drejtësisë në vend të Igor Filkovit.
Ndërkohë, Igor Stoiljkoviq do të marrë postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa Zlatko Perinski është propozuar për drejtor të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë pritet të emërohet Sasho Klekovski, i cili do të zëvendësojë Azir Aliun.
Për postin e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati nga koalicioni “VLEN”.

