Komisioni Evropian kritikon ndërhyrjet politike në gjyqësor, përmendet edhe rasti i Artan Grubit
Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor për progresin e Maqedonisë së Veriut, në të cilin ngre shqetësime serioze për pavarësinë e gjyqësorit dhe ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë.
Në raport theksohet se pavarësia dhe paanshmëria e gjykatave duhet të përmirësohen, ndërsa besimi i qytetarëve në gjyqësor mbetet në nivel shumë të ulët.
Komisioni kritikon deklaratat provokuese të zyrtarëve të lartë qeveritarë për planet e tyre për “pastrimin” e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe kritikat personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i cilësuar ato si ndikim të papërshtatshëm dhe frikësim që cenon pavarësinë e drejtësisë.
Raporti rikujton se në nëntor të vitit 2025, Gjykata Supreme, Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjyqtarëve reaguan bashkërisht ndaj kritikave publike të vazhdueshme nga nivelet më të larta të Qeverisë, duke paralajmëruar se deklaratat e tilla cenojnë ndarjen demokratike të pushteteve.
Në raport përmendet edhe rasti i ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar. Komisioni thekson se Grubi është kthyer në vend, është vendosur në arrest shtëpiak dhe po përballet me proces gjyqësor për akuza që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se vazhdojnë të mbeten sfida të mëdha sistemike, veçanërisht në shndërrimin e hetimeve në rezultate konkrete gjyqësore dhe në rikuperimin e pasurisë së përfituar përmes veprave penale.

