Ndryshime të reja në Kodin Penal, por pa rikthimin e dënimeve të larta për funksionarët
Derisa miratimi i Kodit të ri dhe të plotë Penal pritet vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2027, deputetët e shumicës qeveritare kanë propozuar ndryshime të reja në Kodin Penal aktual, të cilat synojnë të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Megjithatë, propozimi nuk përfshin rikthimin e dënimeve më të larta për funksionarët, e as korrigjimin e nenit 353, që lidhet me keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, shkruan “Slloboden Peçat”, transmeton Portalb.mk.
Ndryshimet e propozuara përqendrohen te dispozitat që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Nismëtarë janë deputetët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, Lupço Prenxhov dhe Bojan Stojanovski, deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, si dhe deputetja e ZNAM-it, Vesna Bendevska.
Milloshoski, në një deklaratë për “Slloboden Peçat”, ka mohuar se propozimi ka ndonjë prapavijë politike. Ai thotë se ndryshimet janë prezantuar gjatë koordinimit me grupet parlamentare dhe se nevoja për to është paraqitur pas vërejtjeve të Komitetit Manival, organ ekspert i Këshillit të Evropës që vlerëson përputhshmërinë e shteteve me standardet ndërkombëtare për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në raportin e vitit 2023, Manivali kishte konstatuar se Maqedonia e Veriut i përmbush vetëm pjesërisht ose në masë të konsiderueshme rekomandimet e FATF-së, organizatë që përcakton standardet ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Në arsyetimin e propozim-ligjit thuhet se qëllimi është eliminimi i dobësive në dispozitat ekzistuese dhe harmonizimi i legjislacionit me rekomandimet e FATF-së. Sipas propozuesve, ndryshimet pritet të ndikojnë pozitivisht edhe në procesin e integrimit evropian dhe në krijimin e kushteve për pjesëmarrjen e vazhdueshme të sistemit financiar të vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA.
Një tjetër argument i paraqitur është se zbatimi i ndryshimeve nuk do të kërkojë mjete shtesë nga Buxheti, ndërsa përmes konfiskimit të pasurisë pritet të rriten edhe të hyrat buxhetore.
Fillimisht, rekomandimi ishte që këto ndryshime të miratoheshin deri në mesin e nëntorit. Por, duke pasur parasysh se Kodi i ri Penal pritet të përfundojë vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2027, deputetët kanë vlerësuar se ndryshimet aktuale duhet të miratohen më shpejt.
Milloshoski thotë se për propozimin janë njoftuar Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Policia Financiare. Nga Ministria e Drejtësisë, ndërkaq, kanë bërë të ditur se janë të përqendruar në përgatitjen e Kodit të ri Penal, i cili ndodhet në fazën përfundimtare të harmonizimit me standardet dhe direktivat më të fundit evropiane. Pas përfundimit, ai do t’i dërgohet Komisionit Evropian për mendim.
Ndërkohë, pavarësisht premtimeve të pushtetit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja për korrigjimin e ndryshimeve kontroverse në Kodin Penal, të miratuara gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, rikthimi i dënimeve të larta për funksionarët vazhdon të mbetet i parealizuar. Ndryshimet e mëparshme, të cilat pushteti i paraqiti si rikthim të dënimeve, janë kritikuar nga ekspertët, të cilët kanë vlerësuar se ato nuk e kanë përmirësuar situatën dhe në disa aspekte mund ta kenë bërë edhe më të pafavorshme.

